Një muaj pa fitore, Allegri humb edhe kapitenin
Juventusi nuk ndodhet në formë të mirë. Transferta përballë Hellas Verona solli vetëm një pikë pas barazimit 2-2, me bardhezinjtë që regjistruan ndeshjen e katërt radhazi pa fitore në Serie A.
“Zonja” mund të humbë vendin e dytë nëse Milani mposht Monzën, ndërkohë që trajneri Allegri nuk do të ketë të gatshëm kapitenin e ekipit në dy javët e ardhshme.
Danilo pësoi një dëmtim në kavilje në pjesën e dytë, teksa e përfundoi ndeshjen. Pësimi i një frakture ishte frika më e madhe, por jo.
Mbrojtësi 32-vjeçar ka nisur menjëherë programin e rehabilitimit. Kapiteni pritet të mungojë nga 10-15 ditë, duke humbur në këtë mënyrë sfidën me Frosinone.
Allegri shpreson ta ketë të gatshëm për transfertën në “Diego Maradona” kundër Napolit, e programuar në datën 3 mars.