Një “ish” si pasardhësi i Xavit, e zbulojnë në Spanjë
Një tjetër emër ka dalë në skenë për trajnerin e ri të Barcelonës. Xavi do të largohet në fundin e sezonit dhe drejtuesit e klubit katalanas po studiojnë alternativa të ndryshme.
Kampionët në fuqi të Spanjës fituan 3-1 kundër Napolit të martën në mbrëmje, rezultat që i kualifikoi në çerekfinalet e Champions League.
Dhe përkrah Decos – drejtori sportiv i Barçës – u pa pas përfundimit të ndeshjes Giovanni van Bronckhorst.
Kaq ka mjaftuar që në Spanjë të raportojnë se holandezi mund të marrë drejtimin e klubit të madh në verë.
49-vjeçari nga Roterdami e njeh mirë Barcelonën, ekip me të cilin ka luajtur në vitet 2003-2007. Duke fituar edhe Champions League.
Si trajner ka punuar deri tani me klube si Feyenoord në Eredivisie, Guangzhou City në Kinë dhe Rangers në Skoci.
Me Feyenoordin fitoi titullin, Kupën e Holandës (2x) dhe Superkupën (2x), ndërkohë që me Rangers fitoi një Kupë Skocie.