
Nishori: S’dua të mbetem rob i së kaluarës, nuk jam thyer kurrë
Ramadan Nishori i njohur me nofkën “Dani” po rrëfen në mënyrë publike përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 22 vjeçar.
Ai ka treguar në detaje dhunimin që ka përjetuar nga dy policë serb, të veshur në uniformë, në stacionin policor të Drenasit më 27 shtator.
“Dy policë me uniforma më kanë kap, më kanë zvarritur dhe më kanë futur në një tualet. Aty ka ndodhur më e keqja që mund t’i ndodh një njeriu. Kurrë nuk do të mund ta mendoja që do të më ndodhte mua. Njëri më dhunoi. Duke u përgatitur i dyti për dhunë, nga britmat e mia ai shqiptari që ishte aty afër, i ka rënë derës ka hyrë brenda dhe më ka nxjerrë jashtë”, rrëfen ai, duke treguar se si një përkthyes shqiptar e nxori nga vendi i dhunimit.
“Më kanë vendosur pastaj në zyrën ku na merrnin në pyetje, por atë ditë më s’më morën në pyetje. Policët civil nisën të më kërcënojnë, ‘këtë çfarë të ka ndodhur ty, nuk guxon t’ia tregosh askujt”, ka treguar detajisht Nishori.
“Për mua në atë kohë, vdekja ishte paqe”, tha ai.
“Jam këtu që të mos mbetem rob i së kaluarës”, ka potencuar Nishori.
Ai ka thënë se ka qëndruar 3 muaj në burgun e Prishtinës, për të pasuar me përjetime të maltretimeve edhe në burgun e Lipjanit. Nishori i ka mbijetuar edhe masakrës në burgun e Dubravës. /rtk/