
Nis Festivali i 78-të në Kanë – Yjet zbresin në tapetin e kuq
Yjet ndërkombëtarë të kinemasë, modës dhe artit janë mbledhur në rivierën franceze për hapjen e Festivalit të 78-të të Filmit në Kanë, një nga ngjarjet më prestigjioze të kinemasë botërore.
Të martën (13 maj), tapeti i kuq në La Croisette mirëpriti emra të mëdhenj të Hollivudit dhe industrisë globale të filmit.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes morën pjesë aktorja franceze dhe fituesja e çmimit Oscar, Juliette Binoche, e cila kryeson jurinë e këtij edicioni, së bashku me anëtarët: regjisori meksikan Carlos Reygadas, regjisorja indiane Payal Kapadia, shkrimtarja Leila Slimani, aktorja amerikane Halle Berry, aktori Jeremy Strong, dokumentaristi Dieudo Hamadi, aktorja italiane Alba Rohrwacher, dhe regjisori korean Hong Sang-soo.
Ndër të ftuarit e shumtë të natës së parë spikatën figura si Robert De Niro, Quentin Tarantino, Sean Baker si dhe ikonat e modës Heidi Klum dhe Bella Hadid. Në tapetin e kuq parakaluan gjithashtu aktoret Eva Longoria dhe Julia Garner, mes shumë të tjerëve.
Programi i këtij viti premton të jetë një nga më të bukurit në dekada, me filma të shumëpritur si:
“The Phoenician Scheme” i Wes Anderson
“Eddington” i Ari Aster
“Eleanor the Great” i Scarlett Johansson
dhe kapitulli i fundit i sagës së famshme: “Mission: Impossible – The Final Reckoning”
Festivali i këtij viti shënon edhe futjen e një kodi të ri veshjeje, që ndalon fustanet tepër zbuluese apo të tejkalojnë përmasat, në përpjekje për të respektuar kuadrin institucional të ngjarjes dhe ligjin francez.
Në deklaratën zyrtare, organizatorët nënvizuan se qëllimi nuk është censura, por garantimi i rregullit dhe dinjitetit të eventit.