Ngannou zbulon se kush mund ta fitojë një përballje mes Furyt dhe Joshuas
Francis Ngannou ka dhënë mendimin e tij në lidhje me debatin se kush do të fitonte nëse Anthony Joshua dhe Tyson Fury do të përballeshin ndonjëherë në ring.
Kamerunasi, ish-kampion bote në UFC, ka dueluar me të dy britanikët dhe ka humbur në mënyra të ndryshme ndaj të dyve. Luftëtari kamerunas pësoi një humbje mahnitëse me KO në raundin e dytë kundër Joshuas.
Ndërsa kundër Furyt, ylli i MMA ia doli të qëndrojë në këmbë deri në fund, por u mund me vendim shumicë edhe pse e hodhi një herë Furyn në tapet. “Nuk e di kush fiton, por për momentin do t’ia jepja fitoren Anthony Joshuas”, ka thënë Ngannou, që në ring ende nuk ka fituar asnjë duel, ndërkohë që është përballur me dy nga boksierët më të mirë aktualisht në botë.
Kur u pyet nëse u kap i befasuar nga fuqia e Joshuas, ai shtoi: “Unë mendoj se ai mori kohën e duhur dhe më goditi. Bëhej fjalë për kohën, kryesisht. Ndodhi diçka që nuk e prisja”. Ngannou pret të rikthehet sërish në kafaz këtë vit.