Nga lëndimi i Ismajlit te ajo që i pëlqen te Sylvinho, rrëfimi i Etrit Berishës para duelit me Çekinë: Do të dëshiroja në fushë… Lorik Canën
Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, duket besimplotë para sfidës që kuqezinjtë luajnë ndaj Çekisë këtë të enjte, një duel i vlefshëm për kualifikueset e EURO 2024.
Duke folur në “Studio Sport”, ai tregoi atmosferën në kampin kuqezi, teksa u ndal edhe te mungesa e rëndësishme e Ismajlit, apo kontributi i Silvinjos për të arritur deri në këtë pikë ku duhet diskutuar kualifikimi direkt me një skuadër si Çekia.
“Në aspektin teknik e dimë pak a shumë ekipin kundërshtar si është se kemi luajtur një muaj më parë me ta. Është ë fizikisht shumë i fortë dhe lë shumë pak hapësira dhe kjo ka bërë që edhe ne ndoshta në ndeshjen e parë të jemi treguar shumë të zgjuar. Sidomos në pjesën e parë bëmë një pjesë shumë të bukur. Ai momenti i golit në pjesën e dytë, ato 10-15 minuta në pjesën e dytë ishin në favor të tyre, por është normale se është një ekip që ka lojtarë shumë cilësorë që luajnë kryesisht në Bundesligë. Por prapë se prapë kem bërë diferencën dhe kemi marrë atë që kemi dashur. Kjo do të jetë një histori më vete, të mundohemi ta përgatitim në mënyrën më të mirë të mundshme që të arrijmë te objektivi ynë.
Ne kishim mundësi të shënonim edhe në pjesën e parë, mund të ishte 1-0 për ne. Por përsëri kemi Bajramin e disa elementë të tjerë si Asllani, Asani, Muçi… Të gjithë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment dhe është jë cilësi që duhet çmuar.
A firmos për barazimin? Ne si futbollistë e kemi të vështirë të mendojmë në këtë mënyrë. Ne hyjmë në fushë që të bëjmë paraqitje sa më të mirë dhe të mendojmë për rezultat. Jemi në moment të mirë dhe besoj se kjo duhet të na ndihmojë për këtë ndeshje se kemi entuziazmin dhe të gjitha. Por nuk duhet të jemi euforikë se në të kaluarën e kemi pësuar nga kjo gjë. Por tani jemi në një situatë tjetër dhe duhet ta shfrytëzojmë mirë këtë moment.
Si është Silvinjo në krahasim me paraardhësit? Me siguri trajneri që në ditën e parë, ajo që më ka pëlqyer më shumë është që na ka kontaktuar direkt. Jo vetëm na kontaktoi, por edhe erdhi të na takojë në vendet ku jetojmë. Ai është munduar të kalojë entuziazmin se kemi qenë në vështirësi sa u përket ndeshjeve në Ligën e Kombeve. Për atë arsye na është dashur një ndryshim. Ndoshta fajin e kishim të gjithë, jo vetëm trajneri, por ajo që bëri Silvinjo ishte jashtëzakonisht e mirë, që të kthente entuziazmin në ekip. Punon shumë, e çmojmë shumë, mundohet të na japë të gjithë informatat e mundshme që të kemi ndeshjen më të lehtë. Gjëja më e mirë është që të gjithë lojtarët e thirrur ndjehen të rëndësishëm, të gjithë kanë një mundësi shumë të mirë për të luajtur në formacion. Mendoj se edhe Reja ka bërë punë jashtëzakonisht të mirë, kemi qenë shumë afër edhe me kualifikimin, që të kishim një mundësi të artë për në playoff të Botërorit. Nuk e arritëm vetëm në fund me Poloninë dhe kjo është ndoshta një keqardhje. Por në Ligën e Kombeve të fundit kanë qenë rezultatet fatale për ne dhe për trajnerin. Sa i përket Panuçit, mendoj se ka qenë një trajner që fatkeqësisht nuk ka pasur shumë suksese, por mendoj se si njeri ka qenë i drejtpërdrejt dhe në të ardhmen mund të ketë edhe ai mundësi të jetë mirë.
Një gjë është ditur për të gjithë që sa më lart të shkosh, aq më shumë krijohet një lloj presioni dhe është normale. Mirëpo deri tani gjithçka është në rregull, po bëjmë gjërat siç duhet, nuk kemi ndryshuar asgjë dhe duhet të vazhdojmë punën tonë, që të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme se ndeshja me Poloninë na ka shërbyer shumë. Kemi bërë ndeshje jo vetëm të bukur, por edhe të matur, ekipi ka dhënë gjëra të bukur edhe për të ardhmen. Euforia nuk do të përsëritet si në të kaluarën.
Dëmtimi i Ismajlit? Me siguri që dëmtimi i tij është mungesë e konsiderueshëm e madhe për kombëtaren pasi sidomos në ndeshjet e fundit ka bërë shumë mirë, ka qenë gjithmonë vendimtar për ne. E njoh shumë mirë se e kam edhe në ekip tani, kishte dëshirë shumë të madhe të ishte në këtë ndeshje. Ka bërë gjithçka dhe çdo ditë kemi folur për këtë ndeshje, ndoshta edhe dëshira e madhe e tij bëri që ky dëmtim të vijë në një moment jo aq të mirë. Mirëpo kemi shumë besim dhe te lojtarët e tjerë. Mihaj ka bërë mirë, kemi edhe Ajetin, një me eksperiencë. Jemi 23 lojtarë të cilët mundohen të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe janë me kualitet, e kanë treguar veten edhe më herët.
Me kë ta zëvendësojmë? Me Lorik Canën (qesh). Të them të drejtën ndofta mund të kem qenë pak skeptik apo nuk e kam ditur gjendjen e Mihajt, por kur ka luajtur në fund ka bërë ndeshjen me të mirë. Edhe Arlindi ka luajtur mjaft mirë, edhe Veseli e ka bërë, ndaj besoj që të gjithë po luajnë me klubet. Për këtë arsye mendoj se secili që do të ketë rastin, do të paraqitet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha portieri i kombëtares shqiptare.