“Neymar luante për t’u argëtuar”, Kean tregon prapaskenat e brazilianit: Është i çmendur!
Moise Kean në karrierën e tij, edhe pse ende të re, është aktivizuar me disa skuadra të rëndësishme europiane.
Një prej tyre është edhe Paris Saint-Germain, me sulmuesin që gjatë sezonit 2020-2021 u aktivizua te parizienët si i huazuar nga Juventus.
Së fundmi, 23-vjeçari zbulon edhe disa nga prapaskenat gjatë periudhës që luajti me Parisin, duke treguar më shumë rreth marrëdhënies së tij me Mbappe apo Neymar.
“Luajta një vit me Parisin, më parë isha në Angli te Evertoni. U ndjeva shumë mirë dhe të them të drejtën nuk e prisja atë mikpritje nga shokët e skuadrës. ishin një skuadër e re, plus që aty gjeta Mbappe dhe Neymar. Kisha një raport të bukur me Mbappe, njëherë ndryshuam së bashku edhe modelin e flokëve, ai i bëri blu. I thashë nëse shënonim gol, atëherë do të sajonim diçka për të festuar. Ai shënoi, erdhi te unë dhe më afroi kokën, ishte diçka e bukur.
Kisha fat sepse isha në një skuadër me kampionë të mëdhenj. Pastaj ishte Neymar. Ai luante për t’u argëtuar, ishte njësoj sikur të luante në rrugë. Futbollin e sheh si argëtim. Kishte raste kur trajneri i thoshte të bënte çfarë të donte në fushë.
Njëherë erdhi shumë i lodhur në stërvitje. Ne ishim ndërruar të gjithë, por ai nuk po dilte. I thashë një prej shokëve se Neymar nuk do të dilte fare nga dhomat e zhveshjes. Por, ai doli edhe pse me vonesë dhe nisi t’i driblonte të gjithë, është një i çmendur”, u shpreh Kean.