
Neymar afër rinovimit me Santosin, marrëveshja drejt finalizimit
Sulmuesi brazilian Neymar raportohet se është afër marrëveshjes së re me klubin e tij të fëmijërisë, Santos, ndërsa raportimet sugjerojnë se ai do të nënshkruajë kontratën në javët në vijim.
33-vjeçari u rikthye te Santos në janar të këtij viti, në përpjekje për të rifituar formën dhe ritmin pas aventurës së pasuksesshme me klubin saudit Al-Hilal.
Pavarësisht se ishte përfolur për një rikthim të mundshëm në Evropë, ku është i lidhur veçanërisht me Fenerbahçen e Jose Mourinhos, megjithatë, Neymar duket se do të vazhdojë të luajë në Brazil, të paktën për momentin.
Sipas asaj që raporton media braziliane “UOL”, Santos ka arritur një marrëveshje me Neymarin për rinovimin e kontratës, ndërsa presidenti i klubit, Marcelo Teixeira, pritet të takohet me babain e lojtarit të martën për të finalizuar detajet e fundit.
Kontrata aktuale e Neymarit skadon më 30 qershor, ndërsa marrëveshja e re do të përfshijë bonuse të bazuara në performancë – me pagesa që varen nga ndeshjet e zhvilluara dhe golat e shënuara.