Netanyahu: Izraeli do të godasë Hezbollahun ‘pa mëshirë’, përfshirë Bejrutin
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha dje në mbrëmje se Izraeli do të vazhdojë sulmet ndaj Hezbollahut në Liban “pa mëshirë”, një ditë pasi militantët e mbështetur nga Irani nisën një sulm me dron në një bazë izraelite që vrau katër ushtarë.
Deklarata e Netanyahut erdhi pasi avionët izraelitë goditën pozicionet në Liban, duke përfshirë një shtëpi në veri të vendit ku zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thanë se ishin vrarë të paktën 21 persona.
“Do të doja ta bëja të qartë: Ne do të vazhdojmë të godasim Hezbollahun pa mëshirë kudo në Liban – përfshirë Bejrutin”, tha Netanyahu në bazën stërvitore të Brigadës Golani, e cila u godit nga një dron i Hezbollahut dje në mbrëmje.
Më shumë se 60 persona u plagosën në bazën, e vendosur pranë qytetit Binyamina në Izraelin qendror. Ishte një nga sulmet më të përgjakshme në Izrael që nga fillimi i luftës së Gazës pak më shumë se një vit më parë.
Organizata militante shiite e kërcënoi Izraelin me më shumë sulme nëse vendi nuk ndalonte ofensivën e tij në Liban.
“Ne po vazhdojmë të luftojmë. Ne po paguajmë një çmim të dhimbshëm, por kemi arritje të konsiderueshme që do të vazhdojmë t’i bëjmë,” u tha Netanyahu trupave në bazë, sipas një deklarate nga zyra e tij.
Përmendja eksplicite e kryeministrit për sulmet në Bejrut është e rëndësishme, pasi kishte raporte të pakonfirmuara më parë nga mediat izraelite se Netanyahu kishte udhëzuar forcat, të shmangnin sulmet në kryeqytetin libanez.
Nga e premtja deri të hënën në mbrëmje, nuk pati asnjë sulm ajror izraelit në Bejrut, raporton atsh.