Netanyahu i thotë ”po” ofertës për armëpushim në Gaza

Netanyahu i thotë ”po” ofertës për armëpushim në Gaza

Duke iu përgjigjur ofertës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndërmjetësve, Katarit dhe Egjiptit, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli do të dërgojë një delegacion në Doha ose Kajro më 15 gusht për të rënë dakord mbi detajet e kornizës së armëpushimit në Gaza dhe dorëzimit të pengjeve.

SHBA, Katari dhe Egjipti i bënë thirrje Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas që të rifillojnë negociatat për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe një marrëveshje pengjesh për të burgosurit më 15 gusht.

“Është koha për të sjellë lehtësim të menjëhershëm si për popullin e shumëvuajtur të Gazës, si dhe për pengjet e shumëvuajtur dhe familjet e tyre”, thanë liderët e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit në një deklaratë të përbashkët.

“Ka ardhur koha për të miratuar marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve dhe të burgosurve”, thanë në deklaratën e përbashkët presidenti i SHBA Joe Biden, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe Emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani.

Katari, SHBA dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar prej muajsh për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për të shkëmbyer pengjet e mbajtura nga Hamasi me të burgosurit palestinezë të mbajtur në Izrael.

Tre shtetet ndërmjetësuese thanë se “një marrëveshje kuadër” që ata arritën së bashku “është tani në tryezë dhe kanë mbetur vetëm detajet e zbatimit për t’u përfunduar”.

Marrëveshja në tryezë bazohet në një plan të paraqitur nga Biden në maj për t’i dhënë fund konfliktit në tre faza, duke filluar me një armëpushim të plotë dhe të pakufizuar prej gjashtë javësh.

“Nuk ka më kohë për të humbur dhe as justifikime nga asnjë palë për vonesa të mëtejshme. Është koha për të liruar pengjet, për të filluar armëpushimin dhe për të zbatuar këtë marrëveshje”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu iu përgjigj deklaratës së përbashkët duke thënë se do të dërgonte një delegacion në cilindo vend që zgjidhet për negociatat më 15 gusht për të “finalizuar detajet për zbatimin e marrëveshjes kuadër”, sipas ”Times of Israel” dhe ”Haaretz”.

Kohët e fundit është shtuar frika se një luftë e madhe mund të shpërthejë në rajon pas vrasjeve të kohëve të fundit në shënjestër të një lideri të lartë të Hamasit dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut, duke bërë që Irani dhe aleatët e tij të kërcënojnë me hakmarrje kundër Izraelit.

Lufta në Gaza u shkaktua nga një masakër e paprecedentë në të cilën më shumë se 1200 njerëz në Izrael u vranë nga Hamasi dhe grupe të tjera militante më 7 tetor.

250 pengje të tjera ishin në Rripin e Gazës.

Për shkak të numrit të lartë të viktimave civile dhe situatës së rëndë humanitare në Gaza, Izraeli është vënë nën kritika ndërkombëtare.

Dhjetë muaj pas ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 39 600 njerëz kanë vdekur në territorin palestinez. /rtsh/

Share This