Nesër Qipro-Kosova, Foda e Rrahmanin kërkojnë fitore
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, në konferencën për media, një ditë para duelit më Qipron, ka kërkuar nga të besuarit e tij që të bëjnë çmos që të marri pikët e plota nga kjo sfidë.
Qipro dhe Kosova do të përballen nesër mbrëma në ndeshje e dytë të këtij sezoni në Ligën e Kombeve.
Dardanët do të kërkojnë këndelljen pas humbjes 0:3 kundër Rumanisë, të premten e kaluar në “Fadil Vokrri”.
“E kemi analizuar ndeshjen që humbëm nga Rumania. Jemi fokusuar për ndeshjen e radhës kundër Qipros. Duhet të bëjmë çmos që t’i marrim tri pikë”, tha Foda.
“Ne i kemi analizuar lojët e fundit të Qipros. Ata e kanë fituar ndeshjen e fundit kundër Lituanisë me rezultat 0:1. Në ndeshjen e fundit ata kanë luajtur shumë mirë si mysafir, e kanë vendosur herët kundërshtarin e tyre nën presion. Ata kanë futbollist cilësor në radhët veta”.
“Edhe ne kemi kualitetin tonë. Do të jetë një detyrë e vështirë, por ajo që do të vlejë është që të bëjmë çmos që ndeshjen ta vendosim në favor tonin”, ka theksuar strategu gjerman.
Fitore në duel me Qipron kërkon edhe kapiteni i Dardanëve, Amir Rrahmani.
Madje, sipas tij, vetëm fitorja është opsion për Kombëtaren tonë.
“Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për ecurinë tonë sepse na jep shans dhe shpresa për kualifikim deri në fund. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe vetëm fitorja na kryen punë”, ka theksuar Rrahmani.
Ndeshja Qipro-Kosova fillon në orën 18:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.