
Nesër PSG-Liverpool, Enrique vjen me deklarate interesante
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka vlerësuar punën e bërë nga trajneri i Liverpool, Arne Slot, duke deklaruar se holandezi ka ndërtuar një skuadër pothuajse të përkryer që nga marrja e drejtimit të klubit nga Jurgen Klopp.
PSG dhe Liverpool do të përballen të mërkurën në “Parc des Princes” në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 të Champions League. PSG mbetet e pamposhtur në Ligue 1 dhe është në rrugën e sigurt drejt një tjetër titulli, ndërsa Liverpool udhëheq Premier League me trembëdhjetë pikë diferencë dhe e përfundoi në vendin e parë fazën e Champions League me tridhjetë e gjashtë skuadra.
“Është e vështirë të imagjinohet një duel më i mirë në letër, mes dy skuadrave dominuese, me stile paksa të ndryshme loje, por me një qasje dominuese”, ka thënë tha Luis Enrique në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Slot e kishte marrë mori drejtimin e Liverpool verën e kaluar, pas largimit të Klopp-it pas nëntë vitesh në krye të skuadrës. Pavarësisht sfidës së madhe për të ndjekur hapat e një trajneri të madh, ai ka lënë gjurmë që në sezonin e tij të parë.
“Liverpool ka qenë një nga skuadrat më të mira në Evropë vitet e fundit, ata fituan Champions League në 2019”, është shprehur Enrique. “Ishte e vështirë të përmirësohej ajo që Klopp kishte arritur, por Arne Slot ka arritur të krijojë një skuadër pothuajse të përkryer”.
Tekniku spanjoll ka theksuar rrezikun që paraqet Liverpool për ekipin e tij, duke veçuar veçanërisht Mohamed Salah, i cili po kalon një sezon spektakolar me tridhjetë gola dhe njëzet e dy asistime.
“Ka një lojtar si Salah me statistika të pabesueshme, por nuk është vetëm ai. Ka shumë lojtarë të klasit botëror, është një ekip shumë i kompletuar”, ka thënë ai.
Gjithashtu Luis Enrique ka paralajmëruar për forcën e sulmit të Liverpool dhe rëndësinë e kujdesit ndaj kundërsulmeve të shpejta të anglezëve.
“Ata kanë një nga sulmet më të mira në Evropë, ne do të përpiqemi ta mbajmë topin, por do të na duhet të jemi të kujdesshëm me kundërsulmet e tyre, pasi kanë tre ‘avionë luftarakë’ në sulm”, ka shtuar ai.
PSG synon të vazhdojë formën e mirë, duke qenë e pamposhtur në njëzet e dy ndeshje në të gjitha kompeticionet.
“Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe e vështirë. Ndeshja e parë nuk do të vendosë gjithçka, por është shumë e rëndësishme për ne. Është e vështirë për kundërshtarët të luajnë në ‘Parc des Princes’ me presionin e tifozëve”, ka thënë ai.