Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka theksuar se ndeshja me Komoreve shërben si testi i fundit para se Kosova ta nisë fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror në muajin shtator.
Pas fitores kundër Armenisë me rezultat 5:2, Kosova do ta zhvillojë miqësoren e dytë ndaj Komoreve, të hënën më 10 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke nisur nga ora 19:00.
Foda ka theksuar se kjo ndeshje shërben si një mundësi për të bërë vlerësime përfundimtare rreth përbërjes së ekipit.
“Sot kemi stërvitjen përmbyllëse dhe do të shohim cilët lojtarë do t’i angazhojmë. Në bazë të kësaj stërvitjeje do të ketë mundësi edhe për ndonjë ndryshim eventual. Megjithatë, sigurisht që nuk do të eksperimentojmë shumë, sepse është ndeshja e fundit para kualifikimeve të Botërorit në shtator”, ka deklaruar ai.
Ai është ndalur edhe te synimet afatgjata, duke e konsideruar kualifikimin në Kampionatin Botëror si një ëndërr legjitime për ekipin e tij.
“Kualifikimi në Botëror? Tani na ka mbetur edhe kjo miqësore. Por, sigurisht, çdo trajner i ka ëndrrat dhe qëllimet e veta. Jemi të vetëdijshëm se kemi një grup të vështirë, por me të gjithë lojtarët dhe bashkëpunëtorët, synojmë ta arrijmë qëllimin tonë dhe do të bëjmë maksimumin për të arritur kualifikimin”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë të luajë si kundër Armenisë, por e vetëdijshme se në shtator do të ketë kundërshtarë më të fortë.
Nga na tjetër, futbollisti Albion Rrahmani, ka thënë se nuk do të ndalojë asnjëherë duke e dhënë maksimumin për ta ndihmuar skuadren.
“Patjetër që vij këtu për të luajtur dhe do ta jap 100 përqindëshin sa herë të më jepet mundësia dhe do të mundohem ta tregoj veten në mënyrën më të mirë të mundshme që ta bindi trajnerin dhe t’i gëzojmë të gjithë tifozët tanë”, ka thënë ai.