Nesër Kosova-Izraeli, ja çfarë deklarojnë Gliha dhe Muriqi
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primoz Gliha në konferencën për medie, një ditë para ndeshjes me Izraelin, ka thënë se kjo sfidë po luhet në një termin të pazakonshëm, ku disa futbollistë të Kombëtares sonë e kanë pasur të pamundur të vijnë për këtë ndeshje për shkak të arsyeve të ndryshme.
Megjithatë, tekniku slloven shpreson në një paraqitje të mirë të besuarve të tij edhe në situata të tilla.
“Besoj se të gjithë pajtohemi se është një situatë goxha speciale dhe po luajmë në një termin të pazakonshëm dhe kjo ka sjellë shumë probleme te mënyra si janë qasur edhe klubet, pastaj ka pasur vendime personale të futbollistëve që kanë bërë të krijohet një situatë të tillë. Disa nga futbollistët e kanë pasur të pamundur të jenë këtu shkaku i arsyeve të ndryshme, por mungesat në futboll janë normale sepse ne pothuajse në çdo ndeshje jam përballur me mungesa. Nëse ju kujtohet ndaj Greqisë kanë munguar gjashtë futbollistë”, ka thënë Gliha.
“E nesërmja do të jetë ndeshja e katërt që do ta udhëheqi Kosovën, gjatë kësaj periudhe i kam pasur nëntë stërvitje. Pyete secilin trajner në botë nëse janë të mjaftueshme dhe do të thonë jo. Por, kjo është puna në kombëtare. Lojtarët janë inteligjent, dëgjojnë dhe duan të luajnë për Kosovën prandaj kjo është e rëndësishme. Për mua nuk ndikojnë aspak. Duhet të luajmë futboll edhe në këto situata. Vijmë nga ish Jugosllavia, ku ka pasur luftëra dhe jemi mësuar me situata të tilla prandaj futbolli mbetet futboll dhe asgjë nuk ndryshon”, ka theksuar ai.
Gliha thotë se Izraeli ka lojtarë kualitativ.
“Izraeli ka lojtarë të shkëlqyer. Pak a shumë ngjan me brazilianët, prandaj besoj se nesër do të jetë ndeshje fantastike”, ka theksuar Gliha.
Muriqi: Do të japim 100 përqindeshin ndaj Izraelit
Ndërkaq, ylli i Kombëtares sonë, Vedat Muriqi, ka thënë se ka qenë i vendosur të vijë për ndeshjen me Izraelin.
“Kam qenë shumë i vendosur. I thashë klubit se duhet të shkoj sepse është detyrë te jem te kombëtarja, pastaj problemi është se Mallorca dëshironte të luante të premten, pastaj të enjten por s’kanë mundur edhe shtyrë ndeshja. Kam qenë i vendosur dhe i vetëdijshëm se duhet me luajë te Kosova”, ka thënë Muriqi.
“Është diçka e pazakontë, nuk ka ndodhur më parë. Jemi pak më stërvitje sepse grumbullohemi dy ditë para lojës, por s’është disavantazh sepse kemi luajtur në ekip dhe jemi në formë. Nesër do të japim 100 për qind ndaj Izraelit. Për Izraelin është speciale, nuk dua të futem jashtë fushës por ka fishkëllima gjithkund dhe nuk mund t’i ndalim. Ne brenda fushës do të luajmë futboll, por jashtë secili vepron për veten dhe nuk mund të bëjmë asgjë”, ka pohuar Muriqi.
Ndeshja Kosova-Izraeli luhet nesër në “Fadil Vokrri’ dhe fillon në orën 20:45.