Nesër hiqen kontrollet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës

Nesër hiqen kontrollet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës

Nesër rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të të dy shteteve. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar.

Udhëtarët që e frekuentojnë këtë pikë-kalimi me Shqipërinë në Vërmicë, nga e nesër do të kalojnë pa pengesa.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar, shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.

Edhe këtë sezon, lehtësimi i procedurave do të zbatohet gjatë nëntë muajve të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës.

Ndërkohë, udhëtarët që kalojnë kufirin përmes pikave të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, deri të mërkurën në orën 24 janë të obliguar t`i paraqesin dokumentet e identifikimit, për shkak të nevojës për përpunimin dhe regjistrimin e saktë të të dhënave të automjeteve.

Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve, autoritetet kufitare në të dyja vendet kanë angazhuar të gjitha sportelet në dispozicion, me qëllim që të shmangin pritjet e gjata dhe të garantojnë kalim sa më të shpejtë dhe efikas, raporton rtk.

Share This