Nënshkruhet memorandumi për rindërtimin e 114 zonave kadastrale për 32 komuna të Kosovës
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë me dije se kanë nënshkruar memorandumin për rindërtimin e 114 zonave kadastrale për 32 komuna të Kosovës.
“Pas miratimit të Ligjit për Kadastër, si dhe pas hartimit dhe nënshkrimit të një sërë pakoje të udhëzimeve administrative, sot kemi hapur një etapë të re për rindërtimin e kadastrit, rrjedhimisht rregullimin e sistemit të adresave, si dhe ndërlidhjes së sistemit të adresave për të gjithë qytetarët”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se këto projekte janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tonë dhe do të mund të realizohen në bashkëpunim të ngushtë në mes të nivelit qendror, ministrisë, komunave, Agjencisë Kadastrale dhe të gjitha drejtorive që kanë të bëjnë me pronat.
“Njëherësh përmes projektit të RK-së do të inçizohen edhe objektet pa leje, të cilat do t’i kursejnë qytetarëve një shumë të majme për matjet gjeodezike të tyre, e po ashtu lehtësojë legalizimin e objekteve. Tashmë, jemi angazhuar maksimalisht për realizimin e projektit të Rindërtimit të Informacioneve Kadastrale të cilat do të përfshijnë 114 Zona Kadastrale, dhe përfitues të drejtpërdrejtë nga ky projekt do të jenë qytetarët e zonave kadastrale në të gjitha Komunat e vendit”, ka thënë ministri Aliu.