Në ‘Zahir Pajaziti’ luhet finalja e titullit, Ballkani një pikë larg titullit
Ballkani është skuadra që ka shkruar historinë në dy vitet e fundit në Kosovë, duke fituar dy tituj dhe duke shkuar dy herë deri në grupet e Conference League.
Skuadra nga Suhareka është në rrugën e duhur dhe për titullin e tretë radhazi, pasi dy javë para fundit ka një diferencë prej 4 pikësh me Llapin e vendit të dytë.
Të besuarit e Ilir Dajës kanë patur një ecuri tejet pozitive në javët e fundit, teksa kanë marrë 4 fitore radhazi, duke krijuar dhe një distancë sigurie me vendin e dytë. Ndeshja e radhës për kampionët në fuqi do të jetë pikërisht ndaj Llapit në Podujevë.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina është rivali direkt për titull i Ballkanit, por falë diferencës që kanë krijuar të besuarit e Dajës një pikë në këtë ndeshje do u mjaftonte për të siguruar matematikisht titullin e tretë radhazi.
Një finale e vërtetë mund të konsiderohet sfida në Podujevë, ku për herë të fundit Ballkani është mundur me rezulatin 5-3 dhe misioni për të marrë një rezultat pozitiv nuk do të jetë i lehtë.
Gjithsesi, eksperienca nuk i mungon skuadrës nga Suhareka, që ka si obektiv me patjetër të mbyllë llogaritë e titullit që këtë fundjavë, e më pas të mendojë për finalen e Kupës së Kosovës, përballë Prishtinës. /SS/