Në Shqipëri shtohen zërat, Ilir Daja trajner i ri i Partizanit

Në Shqipëri shtohen zërat, Ilir Daja trajner i ri i Partizanit

Me përfundimin e sezoneve, “cicërimat” e merkatos janë nga më të ndryshmet dhe të përditshme, që vazhdojnë deri në mbylljen zyrtare të këtij procesi.

Në kuadër të këtyre zërave, gjatë ditëve të fundit u fol edhe për shpërthimin e një “bombe” sa i përket merkatos së trajnerëve në klubet e kryeqytetit. Duke ditur se Ilir Daja nuk është konfirmuar ende te kampionët e Kosovës, Ballkani, si dhe zemërimin në kampin e kuq pas një sezoni të dështuar, u përfol për një rikthim të trajnerit kryeqytetas te Partizani.

Madje, rikthimi i Dajës te “demat” lidhej me një spostim të Orges Shehit te rivalët e Dinamos, ku edhe para emërimit te Partizani trajneri durrsak u përfol për një kalim të mundshëm te “nëndetësja”.

Ajo që i jepte më shumë frymë kësaj lëvizje në bankina, kishte të bënte edhe me një afrim të mundshëm te Partizani të ish kapitenit Nderim Nexhipi, si drejtor teknik i skuadrës. Më herët, binomi Nexhipi-Daja ka funksionuar te Ballkani, ku pas marrjes së detyrës së drejtorit te klubi i Suharekës, Nexhipi afroi Ilir Dajën si trajner.

Para disa kohësh, ka qenë vetë trajneri Daja, por edhe drejtuesit e lartë të Partizanit, presidenti Demi dhe drejtori Rama, që e kanë lënë të hapur mundësinë për një bashkëpunim tjetër mes tyre.

Me lëvizjet e fundit te “demat”, ku Orges Shehi është konfirmuar sërish, i bie që “bomba” e mësipërme të mbetet më shumë në kuadrin e zërave të merkatos dhe dëshirave të atyre që e kanë shprehur.

Share This