​“Ne jemi ende me vaj në buzë”, festa për pavarësi në Mitrovicë

​“Ne jemi ende me vaj në buzë”, festa për pavarësi në Mitrovicë

Sheshet në jug të Mitrovicës janë mbushur të hënën me qytetarë të cilët po shijojnë atmosferën festive për pavarësinë e Kosovës.

Kumrije Begu, qytetare e Mitrovicës, tha se sot ndihet mirë, por jo sa duhet, për shkak të gjendjes së përgjithshme të sigurisë në veri.

Sipas saj, shqiptarët e asaj pjese janë ende me vaj në buzë.

“Ndihem mirë, por jo edhe aq, duke pasur parasysh gjendjen e qytetit tonë Mitrovicës… Kam jetuar tridhjetë vjet në veri të qytetit dhe e di shumë mirë qysh frymon ky qytet…Kemi qenë më keq… tani jemi më mirë, por jo aq sa duhet… Ne jemi akoma me vaj në buzë”, ka thënë Begu.

Erblin Macula, një mitrovicas tjetër, u shpreh të ndihet mirë sot, sepse për të dita e sotme është e veçantë. Ai theksoi se institucionet kanë punuar për qytetin e Mitrovicës si asnjëherë më parë, sidomos në shtrirjen e sovranitetit në veri. Ndonëse tha se ka hapësirë për të punuar ende më shumë.

“Është një ditë e veçantë për gjithë popullin tonë dhe ndihem mirë shumë… Institucionet besoj se kanë punuar si asnjëherë më parë, qyteti frymon ndryshe, vërehen ndryshimet dhe shumë mirë është… Ka hapësirë për të punuar edhe më shumë. Për neve si Kosovë me rëndësi ka qenë shtrirja e sovranitetit… Mirëqenia e qytetarëve, zhvillimi ekonomik, investimet, këto besoj se vijnë, sepse kur është sovraniteti i shtrirë, të tjerat vijnë më lehtë… Besoj se nga viti i ardhshëm e tutje fryma e lirisë dhe pavarësisë do të ndihet në tërë Kosovën”, tha Macula.

Ndryshe, Komuna e Mitrovicës së Jugut për nder të Ditës së Pavarësisë ka organizuar homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Shipol, pastaj homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, si dhe program artistik në sheshin ‘Adem Jashari’ të Mitrovicës, ku kanë performuar emra të njohur të estradës kosovare.

Share This