Në Itali e konfirmojnë, Kumbulla pranë rikthimit në fushën e blertë
Që prej 29 prillit, qendërmbrojtësi i “verdhekuqve” të Roma-s dhe Kombëtares sonë, Marash Kumbulla ka mbetur jashtë fushave të blerta, pas një dëmtimi të pësuar në përballjen e vlefshme për kampionatin italian të futbollit, ndaj “kuqezinjve” të Milan.
Mirëpo, sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, duket se gjithçka po shkon drejt fundit dhe se shumë shpejt, “shtatlarti” 23-vjeçar i mbrojtjes do të kthehet në fushën e blertë, duke u kthyer kështu në një tjetër opsion, për teknikun Jose Mourinho, prapavijë e së cilit, jo në pak raste ka “futur ujë”.
Megjithatë, rikthimi te Roma si një titullar nuk është objektivi i vetëm i “legjionarit”, pasi Kumbulla do të përpiqet të bindë tekniku Sylvinho për aftësitë e tij, në fushën e blertë, për të fituar kështu një vend, në fazën përgatitore të Evropianit, në muajin mars e pse jo një vend me të grumbulluarve, për fazën e grupeve të turneut më prestigjioz për Kombëtaret e futbollit, në Evropë.