Në 2023-n, 150 mijë turistë vizituan Pejën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi qendrën e turizmit në Pejë.
I pari i ekzekutivit u shpreh se në vitin 2023 u regjistruan 150 mijë vizitorë në këtë qytet, me mesatarisht katër ditë qëndrimi, përcjell Klankosova.tv.
“Bukuritë e pasuritë natyrore të Pejës janë mahnitëse e rrëzëlluese. 150 mijë vizitorë u regjistruan në vitin 2023, me mesatarisht 4 ditë qëndrimi për turist në Pejë. Zyra e Turizmit tashmë është rinovuar, ndërsa projekti të cilin e vizituam sot, “Turizmi i avanturës”, ka vlerën totale prej 262 mijë euro, prej të cilave 165 mijë euro nga Qeveria dhe 97 mijë euro nga Komuna e Pejës”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
“Turizmi po zhvillohet, e bashkë me të ndërlidhja me brezin kufitar edhe me shtetin e Malit të Zi. Shumë projekte të bashkëpunimit ndërkufitar, po i prekin edhe Pejën, Gjakovën, Istogun, Junikun, Deçanin e Klinën, por edhe shumë komuna të Malit të Zi, ndër të cilat edhe Rozhaja, Tuzi, Ulqini, Kolashini e Plava”.