“Ndihet pjesë e rëndësishme e projektit”, menaxheri i Kumbullës: Ka besimin e klubit dhe të Mourinhos
Marash Kumbulla përgatitet të nisë sezonin e tretë me Romën në Serie A, teksa aktualisht mbrojtësi i kombëtares shqiptare është në fazën e fundit të rikuperimit nga një dëmtim i trashëguar prej sezonit të kaluar, saktësisht në sfidën e pesë majit ndaj Monzas.
Pavarësisht luhatjeve, 23-vjeçari ka besimin e drejtuesve të klubit dhe trajnerit Jose Mourinho dhe për këtë del garant menaxheri i Kumbullës, Gianni Vitali.
“Kumbulla do të nisë sezonin me Romën dhe aty ai ndjehet mjaft mirë. Është në një vend ku ka vlerësimin e klubit, shokëve të skuadrës dhe trajnerit Jose Mourinho. Ndjehet pjesë e rëndësishme e projektit dhe shoh që janë të gjitha kushtet për të vazhduar përpara.
Më duhet të theksoj se pas këtij dëmtimi e shoh Kumbullën edhe më të vendosur, të bindur dhe të përqendruar për të ardhmen. Rikuperimi po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme falë punës së të gjithë stafit. Të gjitha palët po bashkëpunojnë më së miri”, u shpreh Vitali.