
Ndërprerja e energjisë elektrike, Spanja shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Ministria e Brendshme e Spanjës shpalli një gjendje të jashtëzakonshme të hënën vonë në mbrëmje (28 prill) pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike në mbarë vendin.
Sipas ministrisë, gjendja e jashtëzakonshme do të zbatohet në zonat që e kërkojnë. Deri më tani, Madridi, Andaluzia dhe Extremadura i kanë kërkuar qeverisë qendrore të marrë përsipër rendin publik dhe funksione të tjera.
Miliona njerëz në të gjithë Spanjën janë prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike, si dhe sektorët kryesorë si transporti dhe telekomunikacioni.
Më herët, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez konfirmoi se energjia elektrike është rikthyer në disa zona në veri dhe jug të Spanjës, ndërsa e përshkroi ende si të panjohur shkakun e ndërprerjes së gjerë të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali.
Kryeministri spanjoll theksoi se të gjitha mundësitë janë duke u hetuar.
Nga ana e vet, REN, operatori i rrjetit të Portugalisë, ka raportuar se me shumë mundësi ndërprerja që goditi vendin është pasojë e një defekt në rrjetin elektrik spanjoll, për shkak të një “dukurie të rrallë atmosferike”.
Çfarë nënkupton gjendja e jashtëzakonshme?
17 rajonet e Spanjës kanë autoritetet e tyre lokale, të cilat trajtojnë një sërë çështjesh në zonën e tyre.
Por kur ndodhin ngjarje të mëdha që prekin gjerësisht zonat e vendit, si ndërprerja e energjisë elektrike në shkallë të gjerë, siç ndodhi sot, rajonet mund të marrin ndihmë të mëtejshme nga qeveria kombëtare duke i kërkuar asaj veprime të gjendjes së jashtëzakonshme.
Sot, për shembull, rajonet e Madridit, Andaluzisë dhe Ekstremadurës i kërkuan qeverisë qendrore spanjolle të marrë përsipër rendin publik dhe funksione të tjera, ndërkohë që vendi përballet me impaktin e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Sipas ligjit spanjoll, një incident mund të konsiderohet një gjendje e jashtëzakonshme kur prek disa rajone autonome në vend dhe kur ato kanë nevojë për burime të mëtejshme ose për udhëheqje kombëtare. /BBC