Nderohet figura e Nënë Terezës, hapet ekspozitë për nder të ditëlindjes së saj
Shoqatat “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, si dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit kanë hapur një ekspozitë të veçantë dhe kanë organizuar manifestim tradicional, në nder të ditëlindjes së shenjtores “Nënë Tereza”.
Këto organizime u mbajtën në sheshin “Nëna Terezë”, të cilat qëllim kishin kujtimin dhe kontributin e saj për popullin shqiptarë.
Kryetari i organizatës “Artistët për Artistë”, Veton Gusia tha për KosovaPress se populli shqiptar duhet të ketë humanizmin e tij dhe atë ta ndaj me njëri-tjetrin, familjen, kombin e shtetin.
Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës “Organizata Shqiptaria”, Basri Beka ka shtuar se trashëgimia e figurave të rëndësishme duhet të ruhet për brezat e ardhshëm.
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, u shpreh se përmes kontributit të Nënë Terezës, bota po e sheh ndryshe popullin shqiptar.
Ndërkaq, sonte Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, organizon Akademi Solemne me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës me të cilën hap “Ditët e Nënë Terezës”, që zgjasin deri më 5 shtator. /atsh/