Nderohet albanologu Mehmet Rukiqi
Instituti Albanologjik ka mbajtur mbledhje përkujtimore për albanologun e ndjerë, Mehmet Rukiqi. Me këtë rast u tha se Rukiqi ka dhënë kontribut të madh në pajtimin e gjaqeve, ndërsa vdekja e tij u cilësua si boshllëk i madh për Institutin.
Me këtë rast u tha se ai gjatë gjithë karrierës së tij nuk u ndal së dokumentuari folklorin.
“Në folkloristikën kosovare konsiderohet si një ndër nxënësit dhe studentët më të zellshëm të Anton Çettës. Me profesorin Anton Çetta bashkëveproi ngushtë në një ndër lëvizjet më të rëndësishme në historinë e vendit Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve”, tha Lulzim Lajqi, drejtor i IAK-së.
“Gjyshin Mehmet e kam të vështirë ta prezantojë në të gjitha dimensionet e tij. Në vogëlsinë time e kam të vështirë të përmbledhë me pak fjalë të denja për një fjalë rasti në këtë ceremoni për tërë atë trashëgimi çka na e la gjyshi”, tha nipi i të ndjerit, Berat Rukiqi.
Shoku e kolegu i tij shumëvjeçar, akademik Mehmet Halimi, e përkujtoi përmes një anekdote të tij.
“Në të pame kur të shkojnë, tha: Po thotë hoxha s’ka qare pa vdekë. Njëri prej tyre e shtroi një pyetje: A bon mos me vdekë? Tha: Bon. Qysh? Ai që punon për popull e atdhe nuk vdes kurrë. Ne jemi të përkohshëm, ndërsa veprimtaria jonë është e përhershme. Mehmet Rukiqi nuk vdes kurrë. Veprimtaria e tij mbetet e përjetshme”, tha Halimi, raporton rtk.
Mehmet Rukiqi njihet si autor i vëllimit të veprave “Anekdota popullore” e “Këngë dasmash” dhe misionit të tij të mbledhësit të krijimtarisë gojore shqiptare së bashku me Anton Çettën.
Mehmet Rukiqin punoi në Institutin Albanologjik të Kosovës për 30 vjet.