“Nder dhe krenari ta përfaqësosh vendin tënd”, Qëndrim Zyba i lumtur me debutimin te Kosova
Mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba është shprehur i lumtur dhe krenar që ka debutuar me fanellën e ekipit të parë të Përfaqësueses së Kosovës.
Kosova fitoi me rezultat të pastër 3-0 në udhëtim te Andorra në kuadër të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, të vlefshme për Grupin I.
Në këtë ndeshje, përzgjedhësi Primoz Gliha bëri shumë ndryshime shkaku edhe i dëmtimeve të shumta, duke ia dhënë debutimin disa lojtarëve.
Njëri nga ta ishte edhe mesfushori Qëndrim Zyba, i cili pasi ka luajtur shumë ndeshje me ekipet e moshave të Dardanëve, u paraqit edhe me ekipin e parë, duke debutuar si titullar në ndeshjen ndaj Andorrës.
Ky debutim e ka bërë krenar 22-vjeçarin therandas, i cili ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të shkruar rreth ndeshjes së tij të parë me ekipin senior.
“Sa nder dhe krenari të përfaqësosh vendin tënd. Ndihem shumë i lumtur për debutimin me Kosovën time. Unë, biri yt Kosovë”, ka shkruar Zyba në Facebook, raporton telegrafi.
Ndryshe, Zyba luajti plotë 78 minuta në këtë ndeshje debutuese, ku u zëvendësua nga Bernard Berisha.