
Ndalohet prindi që sulmoi futbollistin Belgin Jashari
Policia e Kosovës ka identifikuar dhe intervistuar të dyshuarin M.K, i cili sulmoi fizikisht futbollistin Belgin Jashari.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se futbollisti Jashari ishte intervistuar në prani të prindit të tij më 25 prill, pas publikimit të storjes për futbollistin nga Nacionale.
Ndërsa më 26 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari M.K., i lindur në vitin 1978.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën penale “Sulmi”, dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë-Kosovës, Belgin Jashari, më 21 prill të këtij viti është sulmuar fizikisht gjatë ndeshjes që ekipi e tij e pati ndaj ShF Arsenalit.
Sulmi ndaj Jasharit, sipas klubit, ishte i motivuar nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit ahkali.
“Sulmuesi ka përdorur gjithashtu fjalor ofendues dhe gjuhë me përmbajtje të rëndë racore. Ky akt përbën shkelje të rëndë të etikës sportive, të të drejtave të njeriut dhe të vlerave që promovon futbolli si sport bashkues”.
“I bëjmë thirrje Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës, si dhe organeve kompetente, që të reagojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të marrin masa konkrete ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, tha ShF Fushë-Kosova në reagim.