Ndahet nga jeta sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci
Njëri nga punëtorët më të mëdhenj të hendbollit dhe sportit kosovar, Izet Gjinovci është ndarë sot nga jeta në moshën 63-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Hendbollit të Kosovës përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare.
“Të hënën ka ndërruar jetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci. I ndjeri Gjinovci ia ka kushtuar gjithë jetën sportit të hendbollit. Detyrat e tij si sekretar i përgjithshëm i ka kryer me përkushtim e pasion shembullor deri në frymën e fundit”, thuhet në njoftim.
Gjinovci ka dhënë kontribut të madh në pavarësimin e sportit kosovar, derisa në rini u shqua si hendbollist cilësor, e më pas edhe si drejtues i KH Prishtina.
Familjen Gjinovci dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës e kanë ngushëlluar edhe kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ai i FFK-së, Agim Ademi, i FBK-së, Arben Fetahu e personalitete tjera sportive.