NBA/ Celtics bind ndaj Cavaliers, Golden State dështon në Los Angeles
Boston Celtics vazhdon me performancat e mira në këtë sezon. 17 herë kampionët e NBA dhuruan një paraqitje të mirë në shtëpinë e tyre përballë Cleveland Cavaliers, duke triumfuar me shifrat 116-107.
Përballja nisi shumë mirë për vendasit që siguruan një avantazh komod. Më pas e administruan mirë pjesën e parë të takimit, e cila u mbyll me rezultatin 65-54.
Në të dytën, Cleveland u përpoq sidomos në periodën e tretë, teksa shkurtoi diferencat me 8 pikë. Gjithsesi, Celtics nuk hasën probleme, duke marrë fitoren e katërt radhazi dhe duke u rikonfirmuar favoritë për titullin.
Nga ana tjetër, Cavaliers u mposht për herë të tretë në pak ditë. Dhe tani renditet në vendin e nëntë në klasifikim. Më të mirët mbi parket për miqtë ishin Mitchell dhe LeVert, ndërsa vendimtar për vendasit ishte Jason Tatum me 27 pikë dhe 11 topa në tabelë.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Los Angeles Clippers fitoi 121-113 përballë Golden State Warriors. Duke zhytur skuadrën nga San Francisco në krizë të thellë rezultatesh. Vendasit e nisën më mirë takimin.
Në periodën e dytë ishin të papërballushëm. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me avantazhin e 13 pikëve për Clippers, (69-56). Nuk pati histori as në fraksionin e dytë të sfidës.
Pasi pas kthimit nga pushimit, dyshja Harden-Leonard ishin protagonistët e mbrëmjes, ku shënuan 55 pikë së bashku. Me këtë sukses, Clippers vazhdon ecurinë e rezultateve pozitive.
Nuk mjaftoi për Warriors paraqitja e mirë e Klay Thompson, autor i 30 pikëve. Në sfidat e tjera, Miami Heat u mund në shtëpi 124-116 nga Chicago Bulls. Utah Jazz triumfoi 122-114 ndaj Blazers, ndërsa Kings mposhtën 128-123 Oklahoman. /SS/