NATO-ja rikonfirmon mbështetjen e fuqishme për Ukrainën

NATO-ja rikonfirmon mbështetjen e fuqishme për Ukrainën

Takimi i nivelit të lartë i NATO-s vazhdon në Uashington dhe në qendër të tij mbetet mbështetja për Ukrainën përballë agresionit rus, e cila po karakterizohet nga udhëheqësit e aleancës dhe të vendeve anëtare si një mbështetje për demokracinë dhe paqen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe krerët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s pritet të shpallin ndihmë të re ushtarake për Ukrainën.

Të mërkurën në takim Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken konfirmoi se drejt Ukrainës janë nisur avionë të tjerë F-16 të dërguar nga Danimarka dhe Holanda.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pret që të miratohet një paketë të konsiderueshme për Ukrainën në takimin e nivelit të lartë. Stoltenberg tha se paketa do të përfshijë një komandë të re të NATO-s për Ukrainën për të ofruar ndihmë dhe trajnim për sigurinë, dhe një zotim afatgjatë për të vazhduar mbështetjen për Kievin.

Stoltenberg tha gjithashtu se pret që aleatët të përsërisin angazhimin se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s.

Ambasadori Michael Carpenter, këshilltar i Posaçëm i Presidentit Joe Biden dhe Drejtor për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare konfirmoi për Zërin e Amerikë se në një komunikatë të aleancës thuhet se rruga e Ukrainës drejt NATO-s “është e pakthyeshme”.

Megjithatë në këtë takim nuk pritet që Ukraina të marrë një ftesë për anëtarësim.

“Ne kemi qenë gjithmonë avokatë të së ardhmes së Ukrainës në NATO. Pyetja është, si mund ta përcjellim mesazhin e vullnetit tonë të fortë për të parë sa më shpejt përparim drejt synimit përfundimtar për anëtarësimin e Ukrainës në Aleancë? Përmes samitit po përpiqemi të të sigurojmë këtë urë drejt anëtarësimit”, tha Carpenter.

Ndërkohë sipas një varianti të komunikatës së cituar nga agjencia Reuters, NATO-ja i bën thirrje Kinës të ndërpresë mbështetjen për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, duke thënë se me ndihmën e saj ndaj Rusisë, Kina vazhdon të parqaqesë sfida për Evropën dhe sigurinë globale. Aleatët thonë gjithashtu se do të zgjerojnë partneritetet e tjera veçanërisht në rajonin Azi-Paqësor.

Dje në një ceremoni për nder të 75 vjetorit të NATO-s, Presidenti Joe Biden mirëpriti udhëheqësit e vendeve anëtare duke argumentuar fuqishëm se forca e aleancës i shërben paqes. Ai i bëri komentet në një moment që përbën ndoshta sprovën më madhore në historinë e NATO-s.

“Është diçka pozitive që sot jemi më të fortë se kurrë. Sepse ky moment në histori ka nevojë për forcën tonë kolektive. Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë komplote keqdashëse, për të shkaktuar kaos dhe vuajtje. Në Evropë, Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon agresionin kundër Ukrainës. Dhe Putini kërkon nënshtrimin e plotë të Ukrainës, synon t’i japë fund demokracisë së Ukrainës, të shkatërrojë kulturën e Ukrainës dhe zhdukjen e Ukrainës nga harta. Dhe ne e dimë se Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Por Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin.”

Argumentet e tij u përforcuan nga anëtarë të tjerë të administratës së tij Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan duke folur me drejtuesit e industrisë së mbrojtjes përmendi shprehjen e Romës së lashtë: “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”.

Vetë shefi i aleancës, Jens Stoltenberg kërkoi intensifikimin e angazhimit të industrisë së mbrojtjes.

“Nënshkruani një premtim të ri që do ta bënte industrinë tonë të mbrojtjes në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut më të fortë, më inovative dhe më të aftë.”

Presidenti Biden e vlerësoi rolin e Stoltenberg në aleancë duke e befasuar ish-kryeministrin norvegjez me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderi më i lartë civil i Shteteve të Bashkuara.

Por analistët ngrenë pyetjen nëse kjo shfaqje e forcës presidenciale në takim, po mbetet në hije nga problemet e brendshme politike të Biden, pas debatit ku paraqitja e tij ishte e dobët gjë që ka nxitur thirrjet edhe brenda partisë së tij për t’u tërhequr nga gara.

“Kjo duhet të na kujtojë se sa kritike është udhëheqja amerikane për këtë aleancë. Ajo u themelua nga Shtetet e Bashkuara. Ajo ekziston dhe përparon në sajë të udhëheqjes amerikane. Dhe kur lindin dyshime për udhëheqjen amerikane dhe udhëheqësit amerikanë, pasojat për NATO-n amplifikohen”, thotë për Zërin e Amerikës Giselle Dinnelly e Institutit “American Enterprise”.

Është një kujtesë kritike ndërsa NATO mblidhet nën mikpritjen e presidentit Biden, se qoftë dobësia, qoftë forca e tij kanë ndikim përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara. /VOA/

Share This