Napoli përshëndet Elmas, lojtari bashkohet me Leipzig në 2 janar
Siç e ka bërë tashmë të ditur presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, e ardhmja e Eljif Elmas do të jetë në Gjermani, më saktësisht te RB Leipzig, skuadër me të cilën lojtari do të bashkohet sapo të hapet merkatoja e janarit.
Maqedonasi ka kaluar me sukses vizitat mjekësore te klubi gjerman dhe do të bashkohet me skuadrën e re në 2 janar në grumbullimin që Leipzig do të zhvillojë në La Manga në Spanjë.
“Elmas është shitur”, pranoi pak ditë më parë De Laurentiis dhe falë këtij transferimi Napoli do të përfitojë 25 milionë euro.
Kampionët në fuqi të Italisë po kërkojnë që tani për zëvendësuesin e mesfushorit dhe janë të shumë emrat që lakohen, si: Lazar Samardzic i Udinese apo Maurits Kjaergaard i Salzburg, pëlqehen edhe Hojbjerg i Tottenham dhe Mats Wieffer i Feyenoord.