
Naim Maloku fillon dëshminë në Speciale
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku, ka filluar dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Prokurori James Pace ka theksuar se gjatë luftës Maloku ishte anëtar i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe epror ushtarak në Dukagjin. Pace, ka thënë se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK.
“Dëshmitari është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, ka theksuar Pace.
Maloku u përgjigj pyetjeve të prokurorit lidhur me një libër të botuar në vitin 2000. Ai ka theksuar se UÇK-ja ishte ushtri me baza vullnetare, ku nuk ekzistonte nocioni i dezertimit.
“Është vetorganizuar në baza vullnetare…z.prokuror, çdo ushtri ose njësi vullnetare ka disa përgjegjësi ose obligime që dallojnë nga ushtritë dhe njësitë që mobilizohen në bazë të ligjeve dhe urdhrave”, është shprehur Maloku.
Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.
Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.
Gjithashtu, ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.