Nagelsman, spastrime te Gjermania
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsman, ka paralajmëruar se do të lërë jashtë grupit të Euro 2024 disa lojtarë të cilët nga publiku mendohen si të sigurt që do të jenë atje. Gjermania është skuadra organizatore e turneut, megjithatë atmosfera është e ftohtë në vend, krejt ndryshe nga Botërori 2006, turneu i fundit ndërkombëtar i organizuar atje.
Menjëherë në shtyp kanë nisur spekulimet për emrat që do të mbeten jashtë për arsye të ndryshme, edhe pse tani është ende herët. Leon Goretzka është njëri nga emrat më të diskutuar aktualisht edhe te Bayern, për shkak të rënies në performancë, ndërkohë që ai ishte edhe shtytësi kryesor për promovimin e çështjeve jashtë futbollit në botërorin Katar 2022, çka shkaktoi polemika pa fund, aq sa tani Federata Gjermane dhe vetë Nagelsman kanë deklaruar se do të flitet vetëm për futboll.
Veç Goreckës, i rrezikuar është edhe Serge Gnabry, që po punon të rikthehet në fushë pas dëmtimit, si dhe blloku i Borussia Dortmund me Emre Can, Nico Schlotterbeck, Niklas Süle e Mats Hummels.
Ndërkaq, për ndeshjet e marsit rikthehet Manuel Neuer, i cili do të jetë titullari edhe në finale, ndonëse shiriti do t’i mbetet Ilkay Gyndoganit. Këta të dy, si dhe dy madrilenët Toni Kroos e Antonio Rydiger do të jenë në katërshen e lidershipit të lojtarëve të zgjedhur nga Nagelsman për diskutimin dhe zgjidhjen e problemeve.