Nagelsman merr garanci nga federata
Posti i Julian Nagelsmann si trajner i Gjermanisë nuk do të vihet në diskutim asnjëherë para finaleve të Euro 2024, çfarëdo që të ndodhë.
Kjo është deklarata e Presidentit të Federatës Gjermane, Bernd Neuendorf, i cili garanton se trajneri do të ketë përkrahje të plotë për të punuar i qetë para kampionatit evropian që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani.
Fillimi i ish-trajnerit të Bajernit ishte entuziast, me një fitore kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një barazim me Meksikën, por entuziazmi u fashit pas humbjeve të fundit, me Turqinë dhe Austrinë.
Ndeshjet e ardhshme do të jenë në mars, por sido që të jenë rezultatet, Gjermania nuk do të ndryshojë trajner në prag të evropianit. Po ashtu, nuk do të ketë diskutime as për të ardhmen e tij, nëse do të vazhdojë edhe për botërorin e vitit 2026 apo do të shkëputet nga kombëtarja me përfundimin e evropianit.
Gjithçka do të diskutohet më pas, ndërkohë që Federata Gjermane është e vendosur edhe për të mos lejuar më diskutime jashtë futbollit në kampin e kombëtares.