Muzika e ëmbël “Champions”
Njëzetenjë gola në tetë ndeshje.
Mbrëmje kampionësh në Europë ku 4 grupet e para të sezonit 2023-2024 mbyllën ndeshjet debutuese pa shumë surpriza por me emocione. E tillë ishte sfida e pasdites së të mërkurës ku Real Madrid u sforcua shumë për të kaluar pengesën berlineze të Unionit.
Mjaftoi një gol i të përhershmit Jude Bellingham në minutën e katërt shtesë për 3 pikët e para të skuadrës Los Blancos, ndërsa të njëjtën shkallë vështirësie hasi edhe Napoli në Bragë ku kaloi 2-1 luzitanët me golin e Di Lorenzos dhe autogolin e Niakate që zhvlerësoi barazimin e përkohshëm të Bruma. Në grupin D, Inter nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në San Sebastian dhe për nënkampionët e Europës mund të ketë probleme në të ardhmen pasi grupi konsiderohet shumë i ekujlibruar pas suksesit të papritur të Salzburg në Lisbonë kundër Benfica-s.
Triumfi 2-0 i austriakëve në stadiumin e dritave mund të konsiderohet edhe si rezultati më surprizues i mbrëmjes ku Arsenal shkatërroi 4-0 PSV Eindhoven duke e kthyer në një stërvitore ndeshjen me holandezët.
Saka, Trosard, Jesus dhe Odegard nuk i dhanë asnjë shans ekipit nënkampion të Holandës që u përplas në murin e talenteve dhe klasit të skuadrës së drejtuar nga Michel Arteta. Në ndeshjen tjetër të grupit B, Lens doli me një pikë shprese nga Sevilla që duket se nuk është më skuadra e sezonit të kaluar.
Në grupin A situata duket më e ekujlibruar përsa i përket garës për një biletë të dytë drejt fazës tjetër pasi Galatasaray nuk shkoi më shumë se barazimi i 5 minutave të fundit përbalë Copenhagen që kishte kaluar në avantazh të dyfishtë.