Mustafa premton: Në javën e parë, koeficienti në sektorin publik 150 euro
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në konferencën e rregullt për media në kuadër të fushatës zgjedhore, tha se me LDK-në në qeveri, do të bëhet rritja e koeficientit për sektorin publik në 150 euro që nga java e parë e qeverisë. Ai tha se kështu rritet edhe fuqia blerëse e qytetarëve, derisa sipas tij, me LDK-në nuk do të ketë pension nën 150 euro.
Ai tutje tha se në Gjilan do të investojnë 10 milion euro vetëm në spitalin rajonal të këtij qyteti, në mesin e shumë projekteve kapitale, që sipas tij, kanë paraparë me programin “Rruga e Re”, për këtë regjion. Ai tha se Spitali i Gjilanit do të bëhet qendër e ekselencës.
Ndërkaq, tha se në Prishtinë, në mesin e qindra përkrahësve, biseduan për 1, 5 miliard euro që do ta bëjnë Prishtinën qytetin madhështor, që sipas tij, meriton të jetë.
Në konferencën që e mbajti në ditën e 14 të fushatës, Mustafa tha se “në Podujevë, përbashkimi masiv rreth LDK-së është përgjigje e fuqishme se Llapi është i djathtë, Llapi është Rugovist”, tha ai.
Kur foli për sektorin privat, tha se është vetë motori i zhvillimit ekonomik të çdo shteti, edhe i Kosovës.
“Një pjesë e programit që mund ta shihni, si pjesë e përkrahjes vetëm për sektorin publik, në fakt përfitues përfundimtar ka vetë sektorin privat. Programi “Rruga e Re” parasheh 5 miliardë euro investime në projekte kapitale, të gjitha këto do të realizohen nga sektori privat, nga kompanitë private në Kosovë. Natyrisht dhe punëtorët e tyre që do të kenë më shumë punë e paga më të dinjitetshme”, tha Mustafa, raporton rtk.