Musliu: “Protestuesit” e Vuçiqit dështuan me bllokim rrugësh
Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, konkretisht bllokadat e vendosura nga serbët në pikëkalimet kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.
Musliu ka thënë se këto ishin te organizuara nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, me mbështetje nga Beogradi dhe Moska.
““Protestuesit” e Vuçiqit dështuan me bllokada rrugësh, edhe pse kishin kompetenca e të drejta të policisë. Paramendoni që këta “protestues” ndalonin dhe identifikonin shoferet, e pastaj vendosnin t’i lejojnë ose jo të kalojnë”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ai theksoi se “protesta” u ndal për shkak të numrit të vogël të serbëve pjesëmarrës.
“Ata e ndaluan “protestën” për shkak se në mes të tyre nuk kishte numër të mjaftueshëm serbesh nga Kosova, përveç disa proksive nga Beogradi. Ky organizim ishte një dështim i qartë”, tha Musliu, duke shtuar se megjithëse përkrahur nga Vuçiq, Vulin dhe Radoiçiq, protesta nuk arriti qëllimet e saj.