
Musliu: PDK nuk do t’i nënshtrohet presionit për ta votuar kandidatin e VV-së për president
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj presionit që, sipas saj, po i bëhet PDK-së për ta votuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për president.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka shkruar se një presion i tillë është i padrejtë dhe i papranueshëm.
“Presioni ndaj PDK-së që, në emër të ‘interesit të Kosovës’, t’ia japë votën kandidatit të Vetëvendosjes për President është i padrejtë dhe i papranueshëm. PDK nuk do t’i nënshtrohet një presioni të tillë. Interesi i Kosovës nuk është që një parti t’i ketë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit. Interesi i Kosovës është të ketë institucione të ndërtuara mbi Kushtetutën, sundimin e ligjit, kontrollin demokratik dhe balancën e pushteteve”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka theksuar se vota e PDK-së nuk është pronë e askujt dhe se do të përdoret vetëm në funksion të interesit të shtetit dhe qytetarëve.
“Vota e PDK-së nuk është pronë e askujt dhe nuk jepet për t’i mundësuar asnjë partie përqendrimin e pushtetit.
Ajo jepet vetëm kur i shërben interesit të qytetarëve, demokracisë dhe funksionimit të shëndetshëm të shtetit. Kosova nuk ka nevojë për pushtet të pakufizuar në duart e një force politike. Ka nevojë për institucione të pavarura, që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe u shërbejnë qytetarëve, e jo interesave partiake”, ka përfunduar ajo.

