Muriqi optimist për një tjetër edicion të suksesshëm

Muriqi optimist për një tjetër edicion të suksesshëm

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për mediumin “Cadena SER”, pasi arriti të shënonte gol në ligën spanjolle dhe e ndali serinë prej katër ndeshjeve kampionale pa realizuar.

Gjatë atyre ndeshjeve Muriqi humbi dy penallti. Megjithatë, ato që kanë ndodhur në ndeshjet e kaluara kanë mbetur prapa për sulmuesin shtatlartë. Muriqi ka thënë se besimi dhe përkrahja e madhe nga trajneri Javier Aguirre dhe familja e tij kanë bërë që të vazhdojë me suksese.

Në edicionin e kaluar të La Ligas vetëm Robert Lewandowski, Karim Benzema dhe Joselu ishin më lart se Muriqi sa u përket golave të shënuar. Për të ky fakt është krenari dhe ndjenjë e veçantë. Lewandowski pati 23 gola, Benzema 19, ndërsa Joselu 16. Me nga 15 gola ishin Muriqi, Antoine Griezmann dhe Borja Iglesias.

“Natyrisht se është kënaqësi. Kjo është arritur falë punës, falë bashkëlojtarëve, stafit teknik, tifozëve. E ndiej se ata më duan dhe kjo më jep vetëbesim për të vazhduar edhe më tej me sukses”, ka thënë fillimisht Muriqi.

“Me numrin e golave të shënuar nuk është edicioni më i mirë që kam pasur. Kisha edicione më të mira në Turqi, por me kualitetin e ligës, të shënosh 15 gola në Spanjë do të thotë shumë. Kështu që, po, ishte edicioni më i mirë i karrierës sime”, është shprehur prizrenasi.

Muriqi thotë se merita për arritjet në karrierë kanë edhe tifozët e skuadrave. Mbështetjen e madhe e ka gjetur edhe te tifozët e Mallorcas.

“Tifozët të japin vetëbesim. Si sulmues, nëse shënon me çfarëdo pjesë të trupit, të jep vetëbesim. Kur pason apo gjuan në portë, janë tifozët që të përkrahin. Në atë moment thua: Po, ata më duan shumë dhe unë po bëj mirë. Ata gjithmonë më pyesin se sa gola do të shënoj dhe unë asnjëherë nuk jap përgjigje sepse nuk i dihet. Por, jam sulmues që mendoj për gola, por edhe për t’u dhënë ndihmë bashkëlojtarëve. Mbi të gjitha, synimi është fitorja. Nëse shënoj, jam dyfish i lumtur”, ka thënë Muriqi.

29-vjeçari ka folur edhe për penalltitë e humbura. Ka thënë se nuk kishte vetëbesim, pavarësisht eksperiencës.

“Nuk ka të nesërme në futboll, ka vetëm sot. Por edicionin e kaluar ka qenë një realitet që asnjëri nuk ka pritur t’i arrijmë 50 pikë. Këtë edicion kemi lojtarë kualitativë si Darder, Larin, Omar, Samu, Lato. Mendoj se kualiteti i skuadrës është rritur. Nuk kemi filluar mirë, por tashmë kemi marrë tri pikë. Kemi ndeshje të rëndësishme e të vështira me Gironan, Barcelonën, Real Sociedadin, Valencian. Por ne besojmë në kualitetet tona. Vitin e kaluar fituam tri ndeshje dhe barazuam nga një me Atleticon, Valencian, Villarrealin. Shpresoj të ndodhë e njëjta gjë dhe mendoj se e kemi rritur fuqinë dhe kualitetin në skuadër për t’u përballur me këta kundërshtarë”, theksoi Muriqi.

Ndeshjen kundër Barcelonës, Muriqi e ka vlerësuar si më të veçantën.

“Të gjithë lojtarët duan që të luajnë kundër ekipeve të mëdha. Si sulmues, shënimi i golit kundër Barcelonës do të ishte gjë e madhe, por realiteti është se Barcelona do të vijë të fitojë. Kundër Barcelonës do t’i kemi tifozët dhe do të japim më të mirën për të marrë diçka”.

Mallorca të shtunën luan në udhëtim te Girona në kuadër të xhiros së gjashtë të La Ligas. Më 26 shtator e pret Barcelonën.

Muriqi tha se sulmuesi më i mirë në ligë është Lewandowski, kurse idhulli i tij nga fëmijëria është Ronaldo Nazario.

Pyetje të vështirë e vlerësoi atë se a do të dëshironte ta fitonte “Pichichin”, që është çmimi i golashënuesit më të mirë në La Liga, të kualifikohej në garat e UEFA-s me Mallorcan, apo të luante në ngjarje të mëdha me Kosovën.

“Është e vështirë. Për momentin skuadra që më ushqen është Mallorca, kështu që do të luaja në Evropë me Mallorcan”, ka theksuar Muriqi.

Share This