Murati fton deputetët të votojnë nesër marrëveshjen me Bankën Botërore

Murati fton deputetët të votojnë nesër marrëveshjen me Bankën Botërore

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati  ka ftuar deputetët e opozitës  të marrin pjesë nesër në votim në mënyrë që marrëveshja për kredi  me Bankën Botërore të ratifikohet dhe vendi të mund të përfitojë  prej saj.

Në një postim në Facebook, Murati  thotë se marrëveshja për kredi i siguron Kosovës 90 milionë euro, me afat kthimi 12 vite.

“Në prill të këtij viti, në Washington DC, me Bankën Botërore kemi nënshkruar marrëveshjen për kredi, që i siguron Kosovës 90 milionë euro, me afat kthimi 12 vite.

Por gjëja e veçantë e kësaj marrëveshjeje është se norma e interesit (kamata) është 0%, falë angazhimit tonë si qeveri dhe reformave të ndërmarra në kuadër të programit që kemi me Bankën Botërore.

Në një kohë kur vendet tjera paguajnë 5-6% kamatë sipas kushteve të tregut për huatë që marrin, neve na është mundësuar marrëveshja me normë interesi 0%”, ka shkruar Murati në Facebook.

Sipas tij, nëse përkthehet në vlerë financiare, i bie të kursehen mbi 50 milionë euro për shkak të kamatës 0% për 12 vite sa zgjatë marrëveshja.

Murati thekson se kjo marrëveshje me këto kushte jashtëzakonisht të volitshme po pret ratifikimin në Kuvend që nga maji i këtij viti, dhe nesër do të jetë përsëri në rend dite në seancë, pika 6 më konkretisht.

“Uroj e shpresoj që nesër edhe deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim ashtu që marrëveshja të ratifikohet dhe vendi të mund të përfitojë nga kjo marrëveshje”, ka shkruar tutje Murati, raporton rtk.

Share This