Murati: Depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thekzuar se në Qeverinë Kurti ka pasur rritje ekononike edhe për familjet kosovare.
Ministri Murati, duke përmendur një raport të Bankës Qendrore të Kosovës, shkruan për rritje të depozitave të ekonomive familjare në banka, që thotë se u përshpejtua gjatë Qeverisë Kurti.
“Depozitat e Ekonomive Familjare në valutën euro për herë të parë tejkalojnë shifrën 4 miliardë euro, sipas raportit të publikuar nga BQK për muajin gusht. Siç mund të shihet edhe nga grafikoni më poshtë, ritmi i rritjes përshpejtohet në mënyrë të theksuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas tij, për 4 vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro, që krahasuar me 4 vitet paraprake gjatë qeverisjeve të kaluara është për 3-fish më e lartë.
“Ky është tregues se rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse e nuk po bëhet vetëm për biznese, por për të gjithë qytetarët. E kjo është gjë e mirë sepse duke pasur më shumë para, ekonomitë familjare blejnë më shumë, gjë që shton qarkullimin e bizneseve, e përfundimisht edhe nevojën për rritje të punësimit”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ngjashëm edhe buxheti i shtetit, “përderisa në të kaluarën shërbente për pasurimin e disave, tani orientohet për shtesat e lehonave, shtesat e fëmijëve, mbështetje për studentë e pensionistë, barna esenciale, mbështetje për bujqit, por edhe siguri e mbrojtje”.