Muja i “thyer” për mënyrën se si u largua nga Antwerpi
Futbollisti i Shqipërisë, Arbnor Muja, e ka thyer heshtjen dhe ka folur për largimin e papritur nga Antwerpi belg.
Muja aktualisht është anëtar i Samsunsporit në elitën e futbollit të Turqisë.
Sulmuesi i krahut në shkurt të këtij viti u transferua te Samsunspori për 2 milionë euro.
“Ky transferim erdhi si befasi për mua”, ka thënë Muja të enjten, shkruan mediumi belg “hbvl.be”.
“Nuk e kisha ndërmend të largohesha. Antwerpi ishte bërë shtëpia ime e dytë”, ka vazhduar ai.
Muja ka shtuar se me dëshirën më të madhe ka dashur të luajë për skuadrën me të cilën e fitoi titullin, Kupën dhe Superkupën në Belgjikë.
“Për fat të keq, klubi më tha në fund të muajit janar se dashuria më nuk ishte e ndërsjellë”, është shprehur ai.
Muja luajti në gjysmëfinale të Kupës së Belgjikës kundër Oostendes më 8 shkurt, por u zëvendësua në minutën e 64-t.
Askush nuk e kishte besuar se ajo do të ishte ndeshja e fundit e tij me Antwerpin.
Në ditën tjetër, Samsunspori njoftoi për transferimin e tij.
“Nuk e kam kuptuar plotësisht vendimin e klubit. Por kështu funksionon futbolli. Situata mund të ndryshojë nga dita në ditë. Duhet ta pranosh. Më mungon klubi, tifozët dhe qyteti”, ka deklaruar Muja.