Muja i lumtur që debutoi me gol te Samsunspori: Ndihem si në shtëpi
Sulmuesi shqiptar, Arbnor Muja e ka nisur në mënyrën më të mirë mundshme aventurën në futbollin e Turqisë.
Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, pak ditë më parë iu bashkuar skuadrës turke, Samsunspor nga Antwer i Belgjikës.
Muja, i cili mbrëmë debutoi me gol në fanellën e Samsunsporit në fitoren 2-0 ndaj Antalyasporit, tha se ndihet i lumtur me golin, fitoren dhe te klubi i ri ndihet si në shtëpi.
“Ishte ndeshje e vështirë dhe jam i lumtur që fituam. E kam ditur që një atmosferë e tillë na pret në stadium, pasi kemi tifozë të jashtëzakonshëm. Jam po ashtu shumë i lumtur që jam lojtar i Samsunsporit. Kam shënuar golin e parë në ndeshjen e parë dhe kjo më bëri shumë të lumtur”, ka thënë Muja.
Ai thotë se tek Samsunspor është pritur mjaft mirë dhe se ndihet si në shtëpi.
“Ndihem mirë, ndihem si në shtëpi. Bashkëlojtarët, stafi i klubit dhe trajnerët janë faktor i madh që më bëjnë të ndihem kështu. Jam i lumtur për këtë. Nuk është e lehtë të adaptohesh kaq shpejt, për vetëm një apo dy ditë. Do të punojmë shumë që të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka shtuar Muja.