
Muharremi: Koha e ndryshimit ka ardhur, gjasat për qeveri të LVV-së nën 10 për qind
Opinionisti Shenoll Muharremi ka deklaruar se pas 28 dhjetorit pritet të nisë një kapitull i ri politik në vend, duke theksuar se koha e ndryshimit ka ardhur.
Në një postim të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Muharremi ka vlerësuar se gjasat që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ta formojë qeverinë e re janë më pak se 10 për qind, ndërsa probabiliteti për një qeveri të përbërë nga ish-partitë e opozitës shkon deri në 90 për qind.
Sipas tij, nëse do të kishte pasur hapësirë, potencial dhe ambient politik që LVV të krijonte partneritet me LDK-në apo PDK-në pas 28 dhjetorit, atëherë do të ishte e mundur që kjo parti të vazhdonte edhe një mandat tjetër në qeverisje. Megjithatë, Muharremi thekson se kjo mundësi tashmë është përjashtuar publikisht nga figurat më të larta të partive politike.
Ai shton se LVV ndodhet në trend të rënies dhe tkurrjes elektorale, duke mos shënuar rritje, gjë që sipas tij e bën të pamundur formimin e qeverisë nga kjo parti pas 28 dhjetorit.
Në anën tjetër, Muharremi vlerëson se Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndryshuar dhe modifikuar qëndrimet e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke shprehur hapur gatishmërinë dhe vendosmërinë për të formuar një qeveri të re me ish-partitë e opozitës.
Duke përmendur krizat dhe bllokadat e shkaktuara gjatë vitit të fundit, rritjen e çmimeve dhe faturat e larta të energjisë elektrike, Muharremi thekson se pakënaqësia e qytetarëve është rritur ndjeshëm, duke e bërë ndryshimin të pashmangshëm.
“Gjasat për një qeveri të LVV-së janë më pak se 10 për qind, ndërsa probabiliteti për ndryshim dhe për një qeveri të ish-partive të opozitës është optimal dhe maksimal, me një gjasë që shkon deri në 90 për qind”, ka shkruar Muharremi.


