MPJD thirrje qytetarëve: Përdorni pikat e tjera kufitare
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një njoftimi për media, thotë se pika kufitare në Bërnjak do të mbetet e mbyllur deri në largimin e personave të maskuar dhe rikthimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët.
Nga kjo ministri, u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dënon fuqishëm veprimet e fundit në pikën kufitare të Bërnjakut, ku persona të maskuar po ndalojnë vetura me regjistrim gjerman dhe, pas konstatimit se udhëtarët janë shqiptarë, nuk po i lejojnë të kalojnë. Kjo situatë është duke u mbikëqyrur nga vetura të policisë serbe, e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij veprimi të padrejtë. Një sjellje e tillë, e cila nuk mund të tolerohet, rikujton periudha të errëta të historisë dhe përbën një akti veprimi të papranueshëm, diskriminimi dhe fashizmi”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.