
MPB: Nga 9 qershori rifillon aplikimi i terminëve për shtetasit e huaj
Divizioni për të Huaj i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga 9 qershori rifillon aplikimin e terminëve në aplikacionin përmes e-Kosova për shtetasit e huaj për leje të qëndrimit.
Sipas MPB-së kjo mundësi ka për qëllim lehtësimin e procesit të aplikimit për leje të qëndrimit nga shtetasit e huaj, eliminimin e pritjeve të gjata përmes rezervimit të terminit dhe respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj, të cilët aplikojnë për leje qëndrim në Republikën e Kosovës
“Caktimi i terminëve përmes platformës e-Kosova mundësohet me qëllim të lehtësimit të ofrimit të shërbimeve për qytetarët-shtetasit e huaj, që të njëjtit të kenë mundësinë e respektimit të afateve ligjore, para se të kalojnë ditët e caktuara të qëndrimit 90 ditë, apo të cilët e vazhdojnë lejen e qëndrimit, të organizojnë kohën e tyre të terminit brenda afatit 30 ditë, para skadimit te saj”, thuhet në njoftim.
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se me të gjitha agjencitë e saj mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës dhe me qëllim të krijimit të lehtësirave të nevojshme po punon në vazhdimësi edhe drejt digjitalizimit të tyre.