MPB-ja maqedonase reagon pas incidentit me presidenten Osmani
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas incidentit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.
Siç thuhet në reagimin e këtij institucioni, sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin ta kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, raporton rtk.
Theksohet se menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.
Lidhur me këtë incident këshilltari për media i Presidentes Bekim Kupina, ka thënë se në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare zyrtari i aeroportit ka tentuar të ia marrë telefonin personal e më tej ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën.