
Mourinho pas fitores: Në një kampionat normal do të kishim 8-9 pikë avantazh
José Mourinho ka komentuar fitoren e Fenerbahçes ndaj Kasimpasa me rezultatin 3-1, duke u shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.
“Jam shumë i lumtur. E dija që ndeshja do të ishte e vështirë. Të enjten e kaluar luajtëm një ndeshje shumë intensive, ndaj na u desh të bënim disa ndryshime në formacionin fillestar. Kundërshtari ishte i fortë, trajneri i tyre bëri një punë të mirë. E dija që do të përballeshim me vështirësi,” tha ai.
Trajneri portugez vlerësoi performancën e skuadrës së tij dhe menaxhimin e ndeshjes.
“Ata luajtën me një sistem të papritur për ne. Megjithatë, nuk u panikuam pas avantazhit 2-1 dhe vazhduam të dominojmë. Shënuam tre gola dhe mund të kishim realizuar edhe katër të tjerë. Të gjithë lojtarët reagojnë pozitivisht, prandaj jam shumë i lumtur. Më vjen keq që do të më duhet të mbaj disa prej tyre në stol.”
Mourinho gjithashtu theksoi punën e palodhur të skuadrës.
“Disa lojtarë duhet të luajnë pa pushim, por të gjithë po japin maksimumin dhe po punojnë së bashku. Të punosh me një ekip të tillë është kënaqësi për çdo trajner.”
Në fund, tekniku portugez nuk ngurroi të thumbonte rivalët e Galatasaray.
“Nëse Superliga do të ishte një kampionat normal, do të ishim përpara me 8-9 pikë.”