Mourinho, në sulm: E urreja të isha fytyra e Romës
Tifozët e duan atë, rezultatet në fushë mes fitores së Conference League dhe finales së Europa League kanë mbërritur, por aventura e José Mourinhos te Roma nuk përfundoi në mënyrën më të mirë.
Performanca e verdhekuqve me ardhjen e De Rossit në pankinë nuk e ndihmon portugezin në këtë aspekt, por Speciali i hoqi disa guralecë nga këmbët duke i bërë të qarta gjërat për të ardhmen: “Dua një klub ku mund të bëj vetëm trajnerin”.
“Unë jam i vetmi trajner evropian që kam luajtur në dy finale në dy vitet e fundit, kjo është e tashmja – komentoi Mourinho për The Telegraph – Çdo trajner do të donte ta bënte këtë, unë nuk jam i tillë sepse kam fituar Champions 20 vite më parë. Le të fokusohemi tek e tashmja”.
E tashmja e sheh Mourinhon pa një ekip, por kërkon një projekt të ri për ta çuar përpara.
“Unë nuk kam frikë të punoj me klube që nuk janë ndërtuar për të fituar – shpjegoi ai -, por dua të arrij objektivat dhe t’i ndihmoj klubet të bëhen gati për të fituar, por unë dua të jem trajner”.
Roma, eksperienca e tij e fundit: “Ëndrra ime është të stërvis, të punoj me ekipin dhe të zhvilloj lojtarët duke përgatitur ndeshjen. Kam pasur situata ku më është dashur të jem shumë më tepër dhe kur duhet të bësh më shumë, atëherë bëhesh më pak i mirë si trajner”.
“Pas humbjes së finales së Europa League, a nuk isha i lumtur që duhej të isha fytyra e klubit në konferencën për shtyp? Jo, e urreja ta bëja. Do të doja një strukturë në të cilën të isha vetëm trajner, sepse kjo është ajo të cilën di ta bëj më mirë. Mund të jem i mirë në komunikim, por nëse më duhet ta bëj 3-4 herë në javë, rreziku për të thënë të gabuarën rritet”.
Në të ardhmen e afërt, Mourinho e sheh veten ende në pankinë, por në kushte të qarta: “Jam 61 vjeç dhe nuk dua të largohem në moshën 65-vjeçare. Kam një rrugë të gjatë përpara, por kërkesa e vetme është që qëllimet dhe objektivat të vendosen në mënyrë të drejtë. Nuk mund të shkoj në një klub vetëm për shkak të historisë sime, objektivi është fitimi i titullit”.