
Moti sot i vranët dhe me intervale me diell, mund të ketë edhe vërshime
Mbi vendin tonë sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende- vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Gjatë ditës do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vlerat e temperaturave minimale do të lëvizin ndërmjet 3 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16 deri në 19 gradë Celsius, raporton RTKlive.
Këtë javë priten reshje të konsiderueshme dhe përmirësim i kushteve agrometeorologjike. Pas një periudhe të gjatë pa reshje, kjo javë pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm të deficitit të reshjeve që ka vazhduar që nga muaji shkurt.
Sipas IHMK-së, reshjet do të jenë të konsiderueshme, kryesisht në formë shiu në viset e ulëta, ndërsa në zonat malore pritet që reshjet të shoqërohen edhe me borë. Megjithatë, në disa zona me infrastrukturë të dobët ekziston mundësia për vërshime të shpejta për shkak të intensitetit të reshjeve.